Shpërthimi i dhunës në veriun e Kosovës tronditi qeverinë gjermane, që e ka dënuar atë “ashpërsisht”. Por me shumë vëmendje po i ndjek zhvillimet në Kosovë edhe media gjermane. “Handelsblatt” shpreh shqetësimin, se Kosova sërish ndodhet në kufi të një krize të re të madhe. “Nëse do të arrihet çtensionimi i dëshiruar është e pasigurtë. Qeveria e Kosovës bëri përgjegjëse presidentin serb Aleksandar Vuçiç për zhvillimet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shkroi në Twitter të hënën në mbrëmje se ‘në një demokraci nuk ka vend për dhunë fashiste’- Vuçiç nga ana e tij ia vuri fajin Kosovës dhe pretendoi, se policia e atjeshme ka qëlluar ndaj anëtarëve të pakicës serbe, para se të shkallëzohen protestat- Vuçiç pretendon, se Kurti dëshiron përgjakje.”
Kurse në një koment të Erich Rathfelder për “tageszeitung” me titullin “Perëndimi që harron historinë” nënvizohet se “në konfliktin aktual në Kosovë dhe po ashtu në Bosnje përjetojmë, se sa sipërfaqësor është bërë debati në lidhje me Ballkanin, se sa pak kritika marrin ata diplomatë dhe politikanë që lëvizin vidat në Ballkan, pa mësuar nga historia. Që është e gabuar strategjia e frenimit të sistemeve autokratike dhe nacionaliste me politikë zbutëse, ata nuk e kuptojnë.”
Rathfelder vëren se ende jemi larg paqes së stabilizuar në rajon, megjithëse kanë kaluar 24 vjet nga lufta në Kosovë dhe shton se kjo ndoshta lidhet me atë, se mësimet nga lufta e Kosovës nuk janë të ankoruara më aq thellë tek politikanët e sotëm dhe brezi i gazetarëve, dhe merren vendime politike që nuk dalin nga mësimet e së shkuarës e kështu lindin konflikte të reja, thekson “tagezeitung”./ DW