Komuniteti shqiptaro-amerikan ka bërë thirrje sot për veprim të menjëhershëm kundër Serbisë për nxitje të dhunës dhe sulm ndaj trupave të NATO-s në Kosovë, pasi siç thonë ditët e fundit janë kryer akte të dhunës nga grupe të organizuara pro-ruse nga Serbia ndaj policëve të Kosovës, trupave paqeruajtëse të NATO-s dhe gazetarëve në veriun e Kosovës.
Në reagimin për media të komunitetit shqiptaro-amerikan thuhet se aktet e serbëve etnikë që dhunshëm tentuan të hyjnë në objektet qeveritare, orkestruar direkt nga regjimi i Beogradit, dëshmojnë kërcënimet e përsëritura ndaj paqes dhe sigurisë në një kohë tejet të tensionuar në Evropë.
Reagimi i plotë:
Aktet e serbëve etnikë që dhunshëm tentuan të hyjnë në objektet qeveritare, orkestruar direkt nga regjimi i Beogradit, dëshmojnë kërcënimet e përsëritura ndaj paqes dhe sigurisë në një kohë tejet të tensionuar në Evropë.
Këto akte dhune nga Vuçiqi dhe falangat e tij, brenda territorit sovran të Republikës së Kosovës nuk mund të kalojnë pa një reagim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar.
Ne jemi të shqetësuar se qëllimi i regjimit të Beogradit, në përputhje me lojalitetin e tyre ndaj Rusisë, është që konflikti të shpërthejë dhe të përhapet në vendet fqinje, duke ndezur potencialisht luftëra të reja në Ballkan – për të hapur një front tjetër në Evropë.
Është e domosdoshme që SHBA dhe aleatët e saj të kuptojnë më në fund peshën e rëndë të situatës dhe të marrin një qëndrim të vendosur kundër shantazhit nga Serbia në vend të përkëdheljes së vazhdueshme ndaj provokimeve të saj. Është thelbësore që Serbia të kuptojë përkushtimin e Perëndimit drejt paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë, dhe se pasojat e veprimeve në kundërshtim me këtë do të jenë të rrepta.