E çliruar nga arresti shtëpiak, Eva Kaili tani dëshiron edhe të udhëtojë. Disa ditë pasi prokurorët belgë njoftuan se ajo nuk ishte më në arrest shtëpiak dhe etiketa e saj elektronike u hoq, ekipi ligjor i Kailit po kërkon të eliminojë kufizimet për të lëvizur lirshëm përtej Belgjikës.
“Kanë filluar procedurat ligjore për të hequr kushtet kufizuese, veçanërisht ndalimin e daljes nga vendi”, thanë avokatët e saj Sven Mary dhe Michalis Dimitrakopoulos në një deklaratë të përbashkët.
Ligjvënësja e BE-së dëshiron që kufizimet e udhëtimit të hiqen pasi ajo dëshiron të marrë pjesë në seancën e ardhshme plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg në mes të qershorit, tha Dimitrakopoulos.
Të premten, avokatët kishin thënë se “kushti kufizues i ndalimit të largimit nga Belgjika, i vendosur nuk e shqetëson atë, pasi Kaili do të kthehet në Greqi vetëm pas shfajësimit të saj gjyqësor”.
Pavarësisht premtimeve për t’u kthyer në punë, Kaili nuk mori pjesë në seancën e Parlamentit Evropian të së enjtes “për shkak të një pengese personale”, thanë avokatët e saj, duke shtuar se “në ditët në vijim ajo do t’i kthehet detyrave të saj”.