Departamenti i Drejtësisë ka informuar ekipin ligjor të ish-Nënpresidentit Mike Pence se nuk do të ngrejë akuza penale në lidhje me dokumentet sekrete që u gjetën në shtëpinë e tij në Indiana.
Departamenti i Drejtësisë i dërgoi një letër avokatit të zotit Pence të enjten duke e informuar ekipin e tij se, pas një hetimi lidhur me mundësinë mbi keqpërdorimin e mundshëm të dokumenteve sekrete, nuk do të kërkohet ngritja e asnjë akuze penale.
Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë e konfirmoi ekzistencën e një letre të tillë, e cila u sigurua edhe nga agjencia e lajmeve ‘Associated Press’.
Njoftimi vjen përpara se zoti Pence të nisë fushatën të mërkurën në shtetin Ajova, për të marrë emërimin e Partisë Republikane në garën për president të Shteteve të Bashkuara, një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj zotit Trump, me të cilin shërbeu në Shtëpinë e Bardhë për katër vite.
Nuk është gjendur asnjë provë që sugjeron se zoti Pence i fshehu qëllimisht dokumentet sekrete nga qeveria ose nëse e dinte që ato ndodheshin në shtëpinë e tij, kështu që nuk pritej që ai të përballej me akuza.