Nuk ka ndryshime. Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e dënimit me 16 vite burg për Elsi Levendin, i akuzuar për vrasjen e ish-menaxherit të VIP-ave Jurgen Kurti. Ai përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajë 10 vite e 8 muaj në burg, pasi ulet 1/3.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë kërkoi ndryshimin e masës së dënimit me 25 vjet burgim. I pandehuri Elsi Levendi kërkoi prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të tij, pasi çështja penale për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim nuk duhej të fillonte.
Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 02.06.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Elona Toro dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Lutfije Celami, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr.523 datë 01.03.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë” thuhet në njoftim.