-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Promovohet libri i Nexhat Merxhushit “Promemorie mbi Çamërinë”

Kryesoret

Shqiptarëve të Çamërisë duhet t’u kthehen vlerat e tyre kombëtare

U promovua në Akademinë e Shkencave, në praninë e dhjetra veprimtarëve çamë, intelektualëve dhe studiuesve të njohur nga Tirana dhe treva të tjera shqiptare, libri i ri i historianit të njohur Nexhat Merxhushi, dëshmitar okular dhe i mbijetuar  i masakrave dhe gjenocidit grek ndaj popullsisë çame, që nisi në Paramithi në qershor të vitit 1944.

Libri titullohet “Promemorie mbi Çamërinë” dhe është botuar nën kujdesin e Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, i cili po luan një rol të rëndësishëm në promovimin e vlerave kulturore dhe historike, nëpërmjet botimeve dhe aktiviteteve të ndryshme.

Drejtuesi i Fondacionit Alket Veliu,  duke e cilësuar muajin qershor si muajin më të rëndësishëm të kujtesës historike për shqiptarët e Çamërisë, që shoqërohet me aktivitete të ndryshme,  vlerësoi shpirtin atdhetar të Nexhatit Merxhushit dhe pasionin për të rrëfeyr të vërtetën histrike të Çamërisë.

Në këtë libër autori sjell një panoramë të plotë të krahinës së Çamërisë, nga lashtësia deri në ditët e sotme, duke vërtetuar autoktoninëe shqiptare të saj, kronologjinë e përndjekjeve dhe spastrimit etnik, duke iu referuar disa autorëve të njohur grek, si Niko Zhango, të cilët përshkruajnë në mënyre të detajuar krimet ndaj popullsisë came dhe bëjnë apel që ato krime të mos përsëriten më.

Këtë mesazh mbart edhe libri i Nexhatit, duke përcjellë idenë se patriotizmi dhe të vërtetat historike që duhet t’u transmetohen brezave nuk mbjellin armiqësi, përkundrazi kultivojnë një frymë të re mes popujve, tha zoti Alket Veliu.

Libri i Nexhat Merxhushit është një libër autentik, që tregon se Çështja Çame përbën ende një plagë të historisë sonë kombëtare,një dhunim të rëndë të drejtave universale të njeriut, tha studiuesi Ahmet Mehmeti. Ndaj nuk duhet  të ndalen përpjekjet derisa çështja çame, kjo padrejtësi historike,  të gjejë zgjidhjen e plotë dhe finale.

Mohimi  i të drejtës së rikthimit dhe i njohjes së të drejtave të shqiptareve të Epirit të Jugut, mbi pronat e lëna mbrapa në Çamëri (Thesproti) , është një rast i paprecedent i shkeljes së qëllimtë të lirive kushtetuese të shtetasve, nga një vend demokratik, anëtar i BE.

Është e paparanueshme që sot e kësaj dite mbi anëtarët e komunitetit çam vazhdojnë pasojat e gjenocidit, duke bërë shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, siç është lëvizja e lirë (pengimi i të moshuarëve), mosgëzimi i pronës dhe kthimit në vëndlindjen e të parëve të tyre. Të gjitha këto Ligje e Konventa mbrojnë të drejtat e njeriut dhe veçanërisht të drejtën e pronës.

Por Greqia vazhdon të dëshmojë para botës së qytetëruar se si i shkel konventat ndërkombëtare, të nënshkruara nga vetë ajo. Nëqoftëse Greqia do të ishte një vend demokratik i vërtetë, ashtu siç pretendon dhe siç njihet formalisht si firmëtare e të gjitha Konventave Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, do ta pranonte publikisht jo vetëm turpin për mosdënimin e  krimeve makabre në Çamëri, por edhe për vonesën e dënimit.

Çështja çame qëndron e hapur, deri sa të gjejë zgjidhjen e duhur, në bazë të ligjeve për të Drejtat e Njeriut, të cilat  kanë fuqi prapavepruese.

Libra të tillë synojnë të sjellin në vëmendje vuajtjet dhe të mos harrohet gjenocidi, por edhe të ruhet dhe transmetohet kultura çame në Shqipëri dhe më gjerë, tha kryetari i Shoqatës Patriotike Çamëria, Liljan Idrizaj. Ne duhet të forcojmë patriotizmin dhe të jemi në unison për çështjen kombëtare, ku bën pjesë edhe çështja çame.

Drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të shtetit grek herë pas here i kanë dërguar dhe i dërgojnë  mesazhe  Shqipërisë, në lidhje me integrimin europian.

Ata shprehen hapur dhe me tone kërcënuese duke thënë se mosrespektimi i minoritetit grek dhe pretendimet për çamët, përbëjnë dy pengesa të pakapërcyeshme për Shqipërinë drejt Bashkimit Europian, duke paralajmëruar kështu se Greqia mund të mbajë një pozicion kundër vendit tonë.

Ndërsa këto deklarata janë bërë të shpeshta, nga qeveria e Tiranës nuk ka asnjë reagim në lidhje me to. Nuk do kish shtet tjetër në botë që këtë dramë të shkallëzuar mbi popullin e vet ta shihte me kaq mospërfillje si shteti i sotëm shqiptar.

Shqiptarëve të Çamërisë duhet t’u kthehen vlerat e tyre kombëtare. Grekët kanë pasur një aftësi të veçantë  për tjetërsimin dhe përvetësimin e kulturave të të tjerëve, pra edhe të Çamërisë, tha Prof. Dr. Bashkim Kuçuku, duke përcjellë opinionin e tij për librin.

Nexhat Merxhushi, studiuesi dhe historiani i palodhor, i mbijetuari i genocidit grek në Paramithi dhe veprimtari i njohur i çështjes çame, i cili mund të konsiderohet një Monument i Çamërisë, në këtë libër ka sjellë të tjera fakte dhe dëshmi për të ndriçuar historinë e Çamërisë dhe tragjedinë e saj.

88 vjeçari Nexhat Merxhushi është një nga shqiptarët e lindur në Paramithi të Çamërisë që ka përjetuar genocidin dhe dëshmitë e tij, në pesë libra të botuar gjer tani, janë autentike. Për të kuptuar të vërtetën e çështjes çame në tërë gjerësinë e vet, autori e ka parë të nevojshme të kuptohet konteksti historik i ekzistencës dhe i autoktonisë së shqiptarëve të Çamërisë.

Nëpërmjet dëshmive të historianëve të respektueshëm grekë, autori në këtë libër ka synuar të trajtojë raportin Greqi-Epir në antikitet, vendin e shqiptarëve në Epir dhe të çamëve në veçanti, që kanë banuar në pjesën greke të territorit që njihet me emrin Thesproti.

May be an image of 10 people and text

Autori ka provuar me fakte se të gjitha përpjekjet greke për shkombëtarizim nuk kanë mundur ta zhdukin identitetin shqiptar të Çamërisë, pasi në shtëpitë e tyre ende flitet shqip, respektohen traditat dhe zakonet.

Atje jetojnë akoma të gjalla mitet, toponimet, gojëdhënat. Që në kohërat më të lashta, Çamëria ka qenë shqiptare dhe e tillë ka mbetur. Mesazhi që përcjell ky libër është i qartë: Greqia ka kryer një masakër historike ndaj një populli që ka ekzistencë, kulturë dhe histori të lashtë.

Prandaj, sot ajo ka për detyrë të shlyejë gabimet e saj, duke rivendosur të drejtat e njerëzve dhe duke i kërkuar falje popullit çam, që është pronari legjitim i vendit të quajtur Thesproti/ Çamëri.

Edhe Shkrimtari dhe studiuesi i njohur Pajtim Çaushi vlerësoi figurën e Nexhat Merxhushit, si studiues dhe historian i palodhor.

May be an image of 13 people and text

Populli çam ka ende një të drejtë legjitime e cila i ka rrënjët në këtë vend, tha prof. Çaushi. Ai nuk do të heqë dorë nga të drejtat e tij ndaj vendit të tij edhe sikur të kalojnë shekuj të tërë.

Të gjitha përpjekjet greke për asimilim dhe shpërbërje nuk kanë mundur ta zhdukin identitetin shqiptar të Çamërisë, pasi në shtëpitë e tyre ende flitet shqip, respektohen traditat dhe zakonet e trashëguara në breza.

Atje jetojnë ende të gjalla mitet, toponimet, gojëdhënat. Që në kohërat më të lashta, Çamëria ka qenë shqiptare dhe e tillë ka mbetur. Edhe pse kanë kaluar dekada nga masakrat ndaj popullsisë çame, tragjedia makabre është ende një plagë e hapur.

Dy personalitete të Kryeqytetit, miq dhë shokë fëmijërie të autorit, prof. Agron Babamusta dhe prof. Agim Bardhi, duke uruar autorin për këtë vepër, rikujtuan momente nga jeta dhe bashkëpunimi me Nexhatin për çështjen çame dhe çështjen kombëtare nëpërmjet studimeve dhe përkthimeve të autorëve të ndryshëm, edhe në kohët e errëta të diktaturës.

Në fund historiani Nexhat Merxhushi falenderoi auditorin dhe fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini” për mbështetjen, duke risjellë në vëmendje thënien e Albert Einstein: “Problemet nuk mund të zgjidhen me të njëjtin mentalitet që ato u krijuan, me kalimin e kohës duan një mentalitet të ri “.

Në kërkesat tona ne nuk shkojmë kurrë tej cakut të së drejtës sonë, tha Merxhushi. Kemi një armë të fortë në dorë, ligjet ndërkombëtare që nxorri Evropa pas Luftës së Dytë Botërore si dhe mbështetjen te fryma e Konventave Ndërkombëtare, që sanksionoi OKB-ja.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit