Në Shqipëri, ritmi i rritjes së çmimeve të apartamenteve është shumë herë më i lartë se rritja e të ardhurave mujore. Niveli i ulët i të ardhurave mesatare dhe çmimet e larta, kanë sjellë që peshën më të lartë të shpenzimeve ta zënë blerja e ushqimeve.
Pesha e shpenzimeve mujore për ushqime për një familje me katër anëtarë në Shqipëri është 41,3% e të ardhurave mujore, sipas strukturës së buxhetit të familjes së INSTAT në vitin 2021. Totali i të ardhurave mesatare është 84,548 lekë në muaj për familje.
Pas shpenzimeve për ushqimin, peshën më të lartë e zënë ato për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar. Në vitin 2021, shpenzimet për banesën arrijnë 10% të totalit të të ardhurave.
Krahasuar me 2020, shpenzimet për banesën kanë mbetur të pandryshuara. Ndërsa shpenzimet për mobilim dhe pajisje shtëpiake në vitin 2021 janë ulur në 6,8% nga 6,9% që ishte pesha e tyre në 2020.
Totali i shpenzimeve në familjet shqiptare për banesë, qira dhe mobilim është 16,8% e të ardhurave mujore, kundrejt 41,3% që është pesha e shpenzimeve që shkojnë për ushqim.
Por a është pozitive për një familje që kërkon të blejë një shtëpi banimi shtrenjtimi i lartë i çmimeve, kur rritja e të ardhurave nuk është në të njëjtat ritme dhe peshën më të madhe të shpenzimeve e zënë ato për ushqim.