Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar në lidhje me kërkesat për zhvillimin e zgjedhjeve të tjera në veri ku sipas tij paraqesin një kthim prapa për Kosovën.
“Në dekadën e kaluar, organizimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës është kryer ekskluzivisht nga KQZ-ja e Kosovës. Kërkesa që zgjedhjet të përsëriten në veri dhe të organizohen nga OSBE-ja, paraqet një kthim prapa për Kosovën!”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Reagimi i Hoxhajt vjen pasi kryesuesi në presidencën e OSBE-së, Bujar Osmani tha se zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të bëhen në këtë vit me përkrahjen e OSBE-së për procesin elektoral e që, sipas tij, do të rrisë besueshmërinë në radhët e komuniteteve.
Ky ishte njëri ndër nëntë hapat që ka propozuar OSBE për të ulur tensionet në Veri dhe për t’u mbajtur zgjedhjet e reja. Këtë plan të OSBE-së e ka mbështetur Brukseli.