Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçik, dhe anëtari i delegacionit të Komitetit për Stabilizim dhe Asociim me Bashkimin Evropian, Matjaz Nemec, ishin në një vizitë dyditore në Beograd.
Bilçik ka komentuar edhe ngjarjet e fundit në veri të Kosovë duke pohuar se tensionet duhet të ulen dhe serbët duhet të kthehen në institucione, raporton nova.rs.
“Të gjithë jemi të shqetësuar në Bashkimin Evropian. Josep Borell dhe vendet anëtare lëshuan një deklaratë të qartë. Mesazhi bazë është de-përshkallëzimi, nuk mund të kemi dhunë, nuk mund të kemi sulme ndaj KFOR-it. NATO dhe EULEX janë në Kosovë për të ndihmuar të gjithë. Nëse situata përkeqësohet, përgjegjësia është e të dyja palëve. Të krijohet hapësira për dialog, për organizimin e zgjedhjeve të reja. Shpresoj që serbët të kthehen në institucione”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Nemec ka deklaruar se të dyja palët duhet të angazhohen për të dalë nga kriza.
“Jemi duke u përballur me një situatë të re, mendimi im është se duhet të kemi zgjedhje të reja në veri të Kosovës. Votuesit duhet të dalin dhe të votojnë. Të dyja palët duhet të angazhohen. Ne kemi një marrëveshje që ecën përpara, këto janë çështje të rëndësishme për të gjithë rajonin”, pohoi ai.
Delegacioni nga Brukseli ka biseduar për çështje aktuale me kryeministren, Ana Brnabiq, kryetarin e Kuvendit, Vladimir Orliq dhe liderët e opozitës.