Ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill, tha sot se vendet perëndimore e kanë bërë të qartë se Kosova do të përballet me pasoja për shkak të zhvillimeve në veri të vendit, duke theksuar se problemet janë me kryeministrin Albin Kurti.
Në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës ai tha se zoti Kurti nuk është pajtuar me kërkesat perëndimore për uljen e tensioneve duke tërhequr njësitë e posaçme të policisë dhe kryetarët e komunave nga veriu.
Intervista e mëposhtme është redaktuar për të qenë më e përmbledhur dhe më e qartë.
Zëri i Amerikës: Situata në Kosovë ende nuk është zgjidhur. Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak i paraqitën propozimet Beogradit dhe Prishtinës – për shtensionimin e gjendjes, zgjedhje të reja në të cilat do të marrin pjesë edhe serbët dhe një kthim në dialogu për normalizimin. Çfarë përgjigje keni marrë nga kryeministri i Kosovës, Aljbin Kurti, a është gati ta pranojë?
Christopher Hill: Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë.
Zëri i Amerikës: Ai e tha se nuk është gati për shtensionim dhe organizim të zgjedhjeve të reja?
Christopher Hill: Shtensionimi është thelbësor dhe mendoj se kemi pasur sukses në këtë drejtim në ditët e fundit.
Siç e dini, disa ditë më parë, ne patëm një bllokim të vërtetë atje. Trupat e NATO-s atje. Dhe së fundmi, ata po luanin lojëra sportive me serbët e Kosovës. Kështu që unë mendoj se ka pasur një shtensionim.
Ka ulje tensionesh sigurisht nga pala serbe, dhe pritshmëria nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara është që Kosova të bëjë një hap në atë drejtim. Një nga ta është që policia e posaçme të tërhiqet nga veriu.
Gjithashtu, kryetarët e komunave duhet të largohen nga ndërtesat komunale dhe kjo duhet të ndodhë në një moment. Dhe çështja e tretë pak më e vështirë, është nëse mund të keni zgjedhje të reja.
Nga pala serbe u tha qartë se me rëndësi është themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe, i cili ende është problem për zotin Kurti. Sepse të gjithë të tjerët e kuptojnë se është e nevojshme./VOA
Artikulli i plotë këtu.