Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e shqiptarit Alfond Kola në Itali nga bashkatdhetari Petrit Gega.
Gega mësohet se ka thënë: “Dëgjoj zëra, shoh djallin. Dua të flas me një ekzorcist”, raporton Giornale di Brescia.
33-vjeçari Kola mbeti i vrarë me thikë pasditen e 31 Majit, jashtë një lokali në Calcinatello të Brescia-s.
Gega u ndalua nga karabinierët rreth 1 orë pas krimit. Autoritetet i trokitën në derën e shtëpisë në Lonato, ku 52-vjeçari me profesion murator, jetonte me bashkëshorten dhe fëmijët. Ishin kamerat e shumta të sigurisë në zonë që e identifikuan. Kamerat filmuan po ashtu momentin e sherrit fillimisht me fjalë e më pas goditjen disa herë të 33-vjeçarit me një thikë kuzhine.
Alfons Kola gjeti vdekjen disa orë më vonë në spitalin e Brescia-s ku u transportua me helikopter në gjendje të rëndë. Kola dhe Gega ishin të dy nga fshati Kallmet i Vogël i Lezhës, fqinj me njëri-tjetrin. Pikërisht njohja e tyre e hershme, bën që hetuesit italianë të mos përjashtojnë mundësinë se krimi mund të ketë ardhur edhe për shkak të mërive të vjetra.