Fatos Çoçoli, ekspert ekonomie, i ftuar në “5 Pyetjet” nga Ilir Babaramo, u shpreh se në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, monedha evropiane ka humbur ndjeshëm terren në krahasim me lekun.
Kjo sipas tij do të vijojë edhe më tej, duke marrë parasysh faktin se kemi stinën e verës përpara, duke e lidhur me rritjen e turistëve, por edhe të emigrantëve.
“Në 365 ditë ty euro të është ulur ndjeshëm. A keni dëgjuar ju për ndonjë mall që të jetë ulur çmimi në këto 365 ditë? Jo nuk ka. Inflacioni i pritshëm i majit pritet të jetë diku të 4.5 për qindëshi.
Ty do të të vazhdojë të të ulet euro deri në fund të gushtit sepse është ulur historikisht sepse të kanë ardhur emigrantë në verë, turistë në verë. Mos e keni merakun e parasë së pistë, sepse çunat e Londrës dhe të Katalonjës nuk marrin pushime. Leku i pistë është aty.
Në se marrim 1/3-ën e parave në qarkullim është diku te 1.7 miliard euro para e pistë. Paratë e emigrantëve janë më shumë këtë verë, sepse ne kemi emigracion të ri, sidomos në këto 3-4 vitet e fundit.
Sa emigrantë të rinj ke në Londër, sa të tjerë në Gjermani me kontrata pune. Kjo prurje kaq e madhe ta ul nivelin e kursit të këmbimit, sepse aq është tregu ynë. Të gjitha këto do ta çojnë euron në muajin gusht edhe në nivelin 1 me 1 me lekun.”, u shpreh në fjalën e tij eksperti Çoçoli.