Kroacia kryeson listën e vendeve më të sigurta në botë për faktin se sa të sigurt ndihen njerëzit kur ecin vetëm gjatë rrugës natën.
Një studim i kryer së fundmi (nga përpunimi i të dhënave të Numbeo për 41 shtete) bazohet në perceptimin subjektiv të sigurisë së individëve, kur ecin vetëm në rrugë gjatë natës, në vende të ndryshme.
Pesë vendet e para, për sa i përket sigurisë së perceptuar kur ecni vetëm gjatë natës, janë Kroacia, Sllovenia, Islanda, Gjeorgjia dhe Zvicra. Kroacia ka pozicionin më të lartë, me një normë mbresëlënëse sigurie 74.63, e ndjekur afër nga Sllovenia me 74.40.
Islanda siguron vendin e tretë, me një normë sigurie 72.26, ndërsa Gjeorgjia dhe Zvicra mbyllin pesëshen e parë me norma përkatësisht 69.72 dhe 69.35. Këto vende paraqesin një ndjenjë të fortë sigurie brenda kufijve të tyre.
Shqipëria renditet e 12-ta nga fundi, me 52.34. Siguria në vendin tonë përceptohet më e ulët se të gjitha vendet e tjera të rajonit, si Serbia, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut.
Nga ana tjetër, Franca renditet në fund të listës me një normë sigurie 35.59, e ndjekur ngushtë nga Bjellorusia me 36.44. Belgjika zë vendin e tretë nga fundi, me një normë sigurie 41.25, ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe Suedia plotësojnë pesëshen e fundit, me norma përkatësisht 43.00 dhe 43.69./ Monitor