Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka biseduar me serbët nga Kosova lidhur me situatën aktuale në Kosovë. Ata e kanë informuan presidentin serb se do të vazhdojnë protestat e tyre në veri, raporton transmetuesi publik serb, RTS.
Përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – thanë pas takimit se shkuan në Beograd për të informuar Vuçiçin lidhur me situatën “jashtëzakonisht të vështirë” jo vetëm në veri, por edhe në jug të lumit Ibër.
Vetë Vuçiç kishte paralajmëruar se do të takohej me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova nga 9 deri më 12 qershor. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç tha se solli me vete video që, sipas tij, shfaqnin qartë arrestimin e Radosh Petroviç dhe Dushan Obrenoviç. Ai tha se këta dy persona, që janë arrestuar nga autoritetet në Kosovë, nuk kanë kërcënuar askënd, veçmas ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Kjo parti ka kërkuar lirimin e dy serbëve të arrestuar. Ai po ashtu përsëriti kërkesat që ia ka parashtruar të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atij evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur si dhe statuti për Asociacionin duhet të miratohet nga Beogradi, Prishtina dhe BE-ja, sepse blloku evropian është garantues dhe nënshkrues i marrëveshjes.
Ndërkaq, kërkesa e tretë e Listës Serbe, sipas Rakiç është tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale në veri të Kosovës.