Presidenti i Republikës, Bajram Begaj mblodhi sot Këshillin e Sigurimit Kombëtar për sigurinë kibernetike pas sulmeve të Iranit vitin e kaluar. Në fjalën e tij hapëse, kreu i shtetit u shpreh se në fokus është gjendja e sigurisë kibernetike dhe masat e marra për forcimin e mbrojtjes kibernetike në Republikën e Shqipërisë.
“Një vit më parë, ne u përballëm me sulme shumë të rënda, komplekse dhe sofistikuara kibernetike. Sulmet synuan shkatërrimin e infrastrukturës dixhitale të Republikës së Shqipërisë, me qëllim nxitjen e destabilitetit në vend. Institucionet tona bënë të mundur që aktorët që ndërmorën këto sulme të mos e realizonin qëllimin e plotë të tyre. Vlerësoj maksimalisht punën e bërë nga institucionet.
Bashkëpunimi me partnerët strategjikë SHBA, BE, NATO-n ka mundësuar trajnimin e specialistëve, ekspertëve etj. Ligji i ri për sigurinë kibernetike dhe strategjia kombëtare e sigurisë kibernetike do i shërbejnë më së miri ndërtimit të kapaciteteve moderne.
Pavarësisht masave të marra aktorët kërcënues kibernetikë, kryesisht të mbështetur dhe financuar nga Republika Islamike e Iranit e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre. Sulmet kibernetike janë shtuar si në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuar. Republika Islamike e Iranit e ka zgjeruar veprimtarinë e saj kërcënuese dhe sulmet kibernetike janë shtuar si në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuar dhe më komplekse.
Një vit pas sulmeve është koha të reflektojmë se çfarë kemi bërë, sa të përgatitur jemi në përballje me sulme të mundshme. Të vendosim se ku duhet të fokusohen përpjekjet dhe investimet tona për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kibernetike” tha ai. Të pranishëm janë drejtuesit më të lartë të shtetit me Kryeministrin Edi Rama, shefen e SHISH-it, Vlorë Hyseni, etj. Mungoi Lindita Nikolla.