Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka pranuar një letër nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që përmban planin e tij pesëpikësh për uljen e tensioneve në veri, por blloku evropian aktualisht tha se konsideron që kryeministri kosovar “nuk ka ndërmarrë hapa të duhur”.
Zëdhënësi i BE-s, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se në Bruksel se po vazhdojnë të shqyrtohen masat e mundshme ndaj Kosovës, nëse ndërkohë nuk merren hapat e duhur.
“Deri më tani nuk kemi parë asnjë hap të menjëhershëm dhe vendimtarë nga kryeministri Kurti. Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm dëshmojnë se përshkallëzimi po vazhdon dhe kjo shkon kundër interesave të Kosovës dhe të gjithë njerëzve në Kosovë”, tha Stano.
Më 13 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se i ka dërguar Borrellit një plan prej pesë pikash, që sipas tij, do të ndihmonte në uljen e tensioneve në veri. Këtë plan, ai e ka diskutuar edhe me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it.
Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri
- Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
- Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
- Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
- Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
- Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave/REL