Krujë-Kapet dhe vihet në pranga, një person i shpallur në kërkim për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
Në një lokal në Fushë Krujë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë kanë lokalizuar dhe ndaluar shtetasin Fredi Rrapin 40 vjeç, banues në Dukagjin, Krujë, të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
40-vjeçari, më datë 30.07.2022, ka qenë duke transportuar shtetas nga vendet e treta, me një automjet tip “Ford”. Pasi është konstatuar nga punonjësit e Policisë, në hyrje të qytetit të Shkodrës, ai nuk i është bindur urdhrave të tyre për të ndaluar, por është larguar dhe më pas ka braktisur automjetin.


                                    





