Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka rrëzuar kërkesën e 28 deputetëve të PD-së për shfuqizimin e Aktit Normativ të Qeverisë për ndërtimet pa leje, pallate apo kate. Gjykata thotë se pasi dëgjoi palët dhe u njoh me argumentet, vendosi “njëzëri që të rrëzonte kërkesën”. Qeveria vendosi që pallatet apo katet pa leje të bosëve të ndërtimit të mos shemben, por t’ju merren nëse nuk i parablejnë me çmimin e tregut. Gjithashtu qeveria Rama bosët e ndërtimit që shkelën ligjin i amnistoi duke mos u hapur telashe ligjore për ndërtimet pa leje, ndryshe nga qytetarët e thjeshtë që shkojnë pas hekurave për një gozhdë. Opozita e çoi në Kushtetuese, por kjo gjykatë i dha të drejtë qeverisë duke shpëtuar oligarkët e ndërtimit.
Njoftimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, pasi mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me nr. 6 (Nj) 2022 të Regjistrit Themeltar, me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve (28 deputetë) të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 589, datë 7.9.2022 “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, njëzëri,
VENDOSI:
- Rrëzimin e kërkesës.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.