Ndryshe nga reagimi i parë, kryeministri Edi Rama sot ka kërkuar lirimin e tre policëve të Kosovës që u prangosën nga ushtria serbe. KFOR që është përgjegjës për kufirin deri tani ka heshtur nëse ishin serbët që u futën brenda Kosovës dhe rrëmbyen policët apo ishin efektivët që thyen vijën. Kreu i qeverisë shqiptare i kërkon Serbisë lirimin e tre policëve dhe Kosovës që të zbatojë pikat e SHBA-së dhe BE-së për normalizimin e situatës.
Kryeministri Edi Rama në Twitter:
- Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.
- Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi!
- Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre!
- Nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri!
- De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë.