Kryeministri Albin Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë tha se kanë folur për “veprimin agresor të Serbisë dje” dhe situatën e përgjithshme të sigurisë.
“Institucionet e sigurisë dhanë vlerësimet e tyre, ndanë të dhënat e fundit dhe gjithashtu propozuan rekomandimet e tyre”, tha Kurti.
Kryeministri e quajti kidnapimin e policëve të Kosovës dje “agresion dhe intencë për eskalim dhe destabilizim”, në kohën kur tha se Qeveria propozoi planin për shtensionimin e situatës.
Kurti tha se Serbia nuk ka ndryshuar, ndërsa e vlerësoi të çuditshme sjelljen e ndërkombëtarëve.
“Ajo që është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë”, tha Kurti.
Për shkak të rastit të djeshëm, Kurti tha se institucionet e sigurisë “e kanë rritur nivelin e gatishmërisë”, ndërsa tregoi se janë shtuar kontrollet ndaj automjeteve me targa serbe, për shkak të sigurisë.
“Veprimet e radhës do të merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve përkatëse”, tha ai dhe u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë “që ta dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë dhe të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, përveç Kurtit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e të tjerë.