Janë mësuar detaje të reja në lidhje me aksidentin ku mbeti i vdekur një efektiv policie në afërsi të fshatit Balldre.
Personi që ka humbur jetën si pasojë e aksidentit është identifikuar si Gazmir Zhuka. Viktima ishte punonjës policie në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Hotit, por në momentin e aksidentit ishte jashtë shërbimit.
Gjithashtu raportohet se drejtuesi i automjetit tjetër është një qytetar serb i cili nuk ka marrë dëmtime. Policia po heton të zbardhë shkaqet e këtij aksidenti fatal.
Informacion paraprak
Rreth orës 11:30, në aksin rrugor “Lezhë-Shkodër”, në Balldre, janë përplasur automjeti me drejtues shtetasin G. Zh., 46 vjeç, banues në Tiranë (punonjës policie, jashtë orarit të shërbimit) dhe automjeti me drejtues shtetasin serb D. P., 30 vjeç.
Si pasojë, ka marrë dëmtime të rënda fizike, shtetasi G. Zh. i cili është transportuar në spitalin rajonal të Lezhës, për të marrë ndihmë mjekësore, por ka humbur jetën.
Grupi hetimor vijon veprimet në vendin e ngjarjes, për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.