Qeveria Rama ka firmosur në mbledhjen e sotme projektligjin për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Njoftimin e bëri ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
“Kultivimi do të lejohet për qëllime mjekësore” tha ajo. Në projektligj, ministrja tha se janë përcaktuar kushtet e kultivimit dhe kriteret për licencat që do të jepen.
“Procesi do të jetë i kontrolluar dhe monitoruar nga shteti” u shpreh më tej Manastirliu, teksa projektligji tani shkon në komisionet parlamentare për diskutime dhe në fund vendos Kuvendi.
“Projektligji që është depozituar nga ministria e Brendshme, Bujqësisë dhe Shëndetësisë përcakton si do të bëhet procesi i kultivimit të kanabisit dhe nën produkteve, vetëm për qëllime mjekësore për ta eksportuar.
Aspekte kryesore, lidhen me aspekte rregullatorë që i përkasin nga momenti i kultivimit dhe eksporti i sigurt dhe i kontrolluar. Projektligji ka kaluar disa faza konsultimi me ekspertë vendas, por edhe të huaj. Është konsultuar nga shoqata, grupe interesi.
Procesi ka zgjatur deri në 10 mars 2023. Është konsultuar edhe me ekspertë të delegacionit të BE-së në Tiranë. Ka një element të veçantë sepse i gjithë aspekti rregullator përcakton edhe institucionet që do merren me kontrollin kultivimit dhe përpunimit për qëllime mjekësore.
Krijohet Agjencia kombëtare për kontrollin e kanabisit. Kjo do të punojë me të gjithë të tjerat në vend deri tek policia. Janë parashikuar të gjitha kushtet për aspektet e dhënies së licencave dhe lejeve me kritere të përcaktuara dhe konsultuara dhe mirë organizuara. Kemi pasur gjithë vëmendjen e duhur për të gjithë praktikat më të mira në botë“, tha Manastirliu.