Sot në orën 12:00 Gjykata në Serbi do të vendosë nëse do të lirohen tre policët e Kosovës që u arrestuan dy ditë më parë. Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës me homologun Orban në Tiranë, tha sot se po përdor të gjitha kanalet që policët të kthehen sa më shpejt në shtëpitë e tyre. Kritikoi edhe njëherë Albin Kurtin dhe i kërkoi që të dëgjojë SHBA-në e BE-në.
“Së pari është imediate nevoja, urgjenca, që të tre punonjësit e policisë së Kosovës të kthehen në shtëpi. Përtej pretendimeve që janë kapur këtu, apo kanë hyrë atje, janë marrë këtu, apo janë gjendur atje, për të cilat KFOR nuk do të japë konkluzion publik, por do të depozitojë dosjen në NATO, është absolutisht e qartë që në të gjitha rastet, tre efektivët nuk kanë bërë asnjë krim.
Edhe nëse do të supozohet se do të kishin shkelur vijën e kufirit, ka vetëm një përgjigje, kthimin e tyre në shtëpi. Ne po përdorim të gjitha kanalet që kjo të ndodhë sa më parë, të kthehen në shtëpi. Zgjidhja e përbashkët është ofruar nga bashkësia euroatlantike” tha ai.