I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar deklaroi se ende po punohet në planin tre pikësh evropian për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës, e cila sipas tij po krijon kushte të vështira për tërë rajonin. Escobar tha se asnjë vend ose udhëheqës nuk mund të përcaktojë kursin e stabilitetit rajonal dhe se ndaj atyre që refuzojnë partneritetin do të ketë pasoja.
I pyetur nëse do të ketë sanksione të tjera ndaj palëve për t’i detyruar ato të plotësojnë kërkesat e Brukselit dhe Uashingtonit, Escobar tha se po, por nuk pranoi ti quajë ato sanksione por masa ndëshkuese.
“Asnjë vend dhe asnjë udhëheqës nuk do të përcaktojë kursin e stabilitetit rajonal dhe evropian. Pra, ndaj atyre që refuzojnë partneritetin do të ketë pasoja”, sqaroi më tej zoti Escobar.
“Ndërsa është shumë e vërtetë që një pjesë e çështjes është se Serbia nuk ka përparuar deri në atë pikë sa ne dëshirojmë në rrugën e saj drejt një marrëdhënie paqësore, normale me Kosovën, do të thoja se shumë nga ato që po ndodhin duke filluar nga nëntori kanë qenë për shkak të veprimeve të njëanshme të qeverisë së Kosovës për të imponuar zgjidhje që nuk janë të koordinuara me bashkësinë ndërkombëtare”.
“Në asnjë rast gjatë 90 ditëve të fundit, dhe i sfidoj të gjithë që të gjejnë ndonjë gjë që ne kemi bërë që nuk ka shkuar në favor të Kosovës. Tani, e vetmja gjë që kishim, e kishim paralajmëruar Kosovën në lidhje me përdorimin e ndërtesave në veri. Përdorimi i godinave ishte një përshkallëzim i panevojshëm në një kohë kur emocionet ishin të larta”, tha ai.