Gjatë mbrëmjes së së shtunës, politikanët serbë kanë pretenduar se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka rrahur një djalë 15-vjeçar dhe një vajzë 17-vjeçare.
Megjithatë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një përgjigje për Nacionalen ka mohuar këto pretendime dhe i ka quajtur “të pavërteta”.
Sipas deklaratës së zëdhënësit të Policisë së Kosovës, njësitë patrulluese ishin në detyrë zyrtare në rrugën Izvor-Banjska kur kanë hasur në dy motorë që transportonin pesë persona.
Pas ndalimit të tre personave, Policia e Kosovës ka kryer kontrolle rutinore sipas procedurave të tyre, dhe pas kontrollit, tre nga personat janë liruar.
Ai ka shtuar se deklaratat e ndryshme për rrahjen e dy të rinjve nuk janë të vërteta.
Kelani ka theksuar se veprimet e policisë janë kryer në përputhje me procedurat e ligjit dhe në asnjë rast nuk ka pasur sjellje jo profesionale.