Forcimi i Lekut dhe rritja e normave të interesit në tregjet ndërkombëtare kanë vazhduar të japin një ndikim negative në bilancin e Bankës Qendrore. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, niveli negativ i rezervës së rivlerësimit në bilanc në fund të muajit maj ka arritur në -35.6 miliardë lekë, nga -26.9 miliardë lekë që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.
Thellimi i pozicionit negativ të rezervës ka bërë që në muajin prill 2023 kapitali i Bankës së Shqipërisë të bjerë në vlera negative për herë të parë, të paktën për 20 vitet e fundit të mbuluara nga seria e statistikave. Në fund të muajit maj, kapitali i Bankës së Shqipërisë ishte negativ në vlerën e 2 miliardë lekëve.
Zhvillimet e lidhura me forcimin e Lekut dhe me zhvlerësimin e portofolit të titujve, nga rritja e normave të interesit, bënë që Banka e Shqipërisë ta mbyllte vitin e kaluar me një rezultat financiar negativ në vlerën e 17.65 miliardë lekëve dhe me humbje gjithëpërfshirëse në vlerën e 31.2 miliardë lekëve.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh në një intervistë të dhënë disa muaj më parë për “Monitor” se humbjet në bilanc janë pasoja kalimtare dhe nuk e cenojnë aspak aftësinë e bankave qendrore për të përmbushur mandatin e tyre.
Sipas tij, ndikimi i këtyre politikave në bilancin e Bankës së Shqipërisë prodhon edhe kosto kalimtare negative, por ato janë kalimtare, sepse burojnë nga parime kontabiliteti dhe jo humbje finale të aseteve. Këto kosto rikuperohen gradualisht me kalimin e kohës dhe riinvestimin e aseteve me norma më të larta interesi./Monitor/