Fondi Monetar Nderkombetar në deklaratën e fundit për Shqipërinë ka paralajmëruar se inflacioni mund të zgjasë më shumë se parashikimi mes kushteve të shtrënguara të tregut të punës dhe rritjeve të pagave në sektorin publik, çka mund ta detyrojë Bankën e Shqipërisë të përshpejtojë shtrëngimin e politikës monetare.
FMN theksoi se rritja e buxhetit për pagat e sektorit publik duhet shoqëruar me masa domethënëse për të ardhurat dhe përfitime në efikasitetin e sektorit publik dhe të mos rrezikojë objektivat afatmesme të konsolidimit fiskal.
Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga Znj. Anke Weber, zhvilloi një vizitë në Shqipëri gjatë datave 13-19 qershor, për të diskutuar zhvillimet e fundit makroekonomike, parashikimin ekonomik dhe politikat prioritare.
Në fund të vizitës, Znj. Weber bëri deklaratën në vijim: “Ekonomia shqiptare ka tejkaluar pritshmëritë në vitin 2022, duke u rritur me 4.8 për qind, mbështetur nga kërkesa e fortë konsumatore, flukset hyrëse të turizmit dhe aktiviteti i ndërtimit.
Deficiti i llogarisë korrente dhe deficiti fiskal u ulën në mënyrë të konsiderueshme, paralelisht me një vlerësim të lekut. Këtë vit, rritja ekonomike pritet të jetë e moderuar, rreth 3 për qind, për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike të partnerëve tregtarë, tërheqjes së politikës mbështetëse dhe kushteve më të shtrënguara financiare.
Besimi i vazhdueshëm i konsumatorëve dhe turizmi do të mbështesin aktivitetin ekonomik për këtë vit. Inflacioni ka ardhur gradualisht në rënie, por mbetet ende mbi objektivin e Bankës Qendrore.”
“Parashikimi kushtëzohet nga një pasiguri e madhe. Rritja ekonomike e partnerëve tregtarë më e ngadaltë se pritshmëritë mund të ndikojë eksportet dhe rritjen ekonomike në Shqipëri.
Inflacioni mund të zgjatë më shumë, i nxitur nga kushtet e shtrënguara të tregut të punës dhe nga rritjet e konsiderueshme të pagave në sektorin publik, duke ndikuar edhe në pagat e sektorit privat./ Monitor