Komandanti i KFOR-it, gjeneral-majori Angelo Ristuccia në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve “AGI”, ka thënë se më 29 maj KFOR-i kishte “parandaluar një masakër dhe kishte shpëtuar 15 policë kosovarë në veri”.
Ai ka aluduar për protestat e mbajtura në atë datë, ku situata përshkallëzoi veçanërisht në Zveçan. Në Zveçan protestuesit sulmuan ushtarët e KFOR-it dhe Policinë e Kosovës.
U lënduan mbi 30 ushtarë të KFOR-it e disa policë kosovarë. Ristuccia tha se situata ka mundur të eskalojë edhe më tepër, po të mos kishte qenë “profesionalizmi i ushtarëve të KFOR-it”.
“Falë profesionalizimit të njerëzve tanë në KFOR, që u përgatitën në mënyrën më të përshtatshme dhe zbatuan rregullat në mënyrën më korrekte, u shmang një masakër.
Ne arritëm t’i ndajmë dy palët dhe të shpëtojmë 15 policë të bllokuar në turmë”, tha Ristuccia.
Ristuccia ka thënë se arsyeja pse situata nuk përshkallëzoi më rëndë, e nuk pati të vdekur, ishte për shkak të profesionalizimit të ushtarëve të KFOR-it.