Zhurma nënujore janë dëgjuar nga ekipet e shpëtimit, që po kërkojnë një mini-nëndetëse të zhdukur, me 5 persona në bord. Ajo ishte nisur për një ekspeditë turistike në thellësinë e oqeanit atlantik, pranë mbetjeve të anijes së mbytur në vitin 1912, Titanik.
Zhurmat e dëgjuara nga ekipet kanadeze të kërkimit, në ditën e tretë të operacionit, u raportuan nga roja bregdetare, teksa ekuipazhi besohet të ketë hyrë në 24 orët e fundit të furnizimeve me oksigjen.
Kërkimet robotike nënujore u devijuan në zonën ku besohet të jetë dëgjuar zhurma, por siç thuhet, ende nuk ka asnjë sinjal konkret të nëndetëses së zhdukur. Ndërsa ekipet e shpëtimit janë në garë me kohën për të shpëtuar personat në bord, Mike Reiss, i cili ka zhvilluar më herët një ekspeditë të ngjashme ka pak shpresë për kthimin e tyre.
Nëndetësja titan, 6.7 metra e gjatë, është nën operimin e kompanisë amerikane Ocean Gate Expeditions, dhe humbi kontaktet me sipërfaqen rreth 1 orë e 45 minuta pas zhytjes drejt mbetjeve të anijes më të famshme në botë, Titanik. Ajo duhej të qëndronte nën ujë për 96 orë, duke u dhënë pesë personave në bord, oksigjen deri të enjten në mëngjes.
Personat në bordin e Titan, kishin paguar 250 mijë dollarë për ekspeditën turistike, në thellësinë e 3800 metrave, ku gjenden mbetjet e Titanikut. Mes tyre janë miliarderi dhe aventurieri britanik, Hamish Harding, biznesmeni pakistanez Shahzada Dawood dhe djali i tij Suleiman, eksploruesi francez Paul-Henri Nargeolet dhe Stockton Rush themelues dhe drejtues i kompanisë Ocean Gate.
Dëgjohen zhurma nënujore, vijojnë kërkimet për nëndetësen e zhdukur