Qeveria Rama në mbledhjen e sotme ka miratuar nisjen e procedurave për privatizimin e ish-repartit ushtarak në Çekrez të Gramshit. Përfituesi është kompania “Rozafa” e biznesmenit Gjergj Luca, i njohur si oligarku i peshkut. Pas pronave që ka privatizuar apo që ka marrë me qira 1 Euro, kjo është një tjetër dhuratë e qeverisë Rama për biznesmenin që është shfaqur shpesh herë krah kryeministrit.
VENDIMI I PLOTE I QEVERISE:
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR FILLIMIN E PROCEDURAVE TË PRIVATIZIMIT PËR PRONËN NR.338, ME EMËRTIM “ISH-REPARTI USHTARAK NR.5012/20”, ME VENDNDODHJE NË ÇEKREZ, GRAMSH, NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË SË MBROJTJES, DHËNË ME QIRA ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA SHOQËRISË “ROZAFA”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 2, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim të shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros të këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 32, të kreut III, të vendimit nr.926, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transformohet dhe procedurën e shitjes”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Dhënien e miratimit për fillimin e procedurave të privatizimit për pronën nr.338, me emërtim “Ish-reparti ushtarak nr.5012/20”, me vendndodhje në Çekrez, Gramsh, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, dhënë me qira me tarifën 1 euro/kontrata shoqërisë “Rozafa”, sh.p.k., në bazë të kontratës nr.1823 Rep., nr.867 Kol., datë 13.9.2019, në zbatim të vendimit nr.526, datë 25.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Rozafa”, sh.p.k., si qiramarrës, për pronën nr.338, me emërtim “Ish-reparti ushtarak nr.5012/20”, me vendndodhje në Çekrez, Gramsh, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes”.
-
Vendimi nr.526, datë 25.7.2019, i Këshillit të Ministrave, “Për dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Rozafa”, sh.p.k., si qiramarrës, për pronën nr.338, me emërtim “Ish-reparti ushtarak nr.5012/20”, me vendndodhje në Çekrez, Gramsh, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes”, me nënshkrimin e kontratës së shitjes së pronës shtetërore, sipas pikës 1, të këtij vendimi, shfuqizohet.
-
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.