Fakti që Shqipëria i ofroi strehim një grupi disident që synon ta përmbysë regjimin e Teheranit dhe që punon aktivisht për ta arritur këtë qëllim, e ka vënë Tiranën në kryqëzim nga Teherani, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë me bazë në Uashington dhe bashkëpunëtor i Qendrës Ndërkombëtare për Kundër-Terrorizëm, në Hagë.
Më 20 qershor, Policia e Shtetit Shqiptar bastisi kampin e disa muxhahedinëve iranianë, të njohur si grupi MEK, nën dyshimet se disa pjesëtarë të tij kanë kryer veprat penale “provokim i luftës” dhe “sulme kibernetike”. Vetë MEK-u e cilësoi aksionin policor si “kriminal” dhe “shtypës”. Shtuni thotë se nëse dyshimet kundër grupit vërtetohen, ato përbëjnë “kërcënim të qartë për sigurinë kombëtare të Shqipërisë”.
“Pjesëtarët e MEK-ut janë armiq të betuar të regjimit të Teheranit për më shumë se 40 vjet. Fakti që Shqipëria i ofroi strehim një grupi disident që synon ta përmbysë regjimin e Teheranit dhe që punon aktivisht për ta arritur këtë qëllim, e ka vënë Tiranën në kryqëzim nga Teherani.
Sulmi shkatërrues kibernetik kundër Shqipërisë, vitin e kaluar, ishte një shembull i qartë i llojit të kërcënimeve me të cilat përballet vendi. Por, kërcënimi nuk kufizohet vetëm në hapësirën kibernetike. Qeverisë shqiptare iu desh të anulonte samitin vjetor të MEK-ut më pak se një vit më parë, për shkak të kërcënimeve terroriste” tha ai./ REL