Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë ka pranuar kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave për të nisur procedurat e shpalljes së falimentit të kompanisë “Mika” ku aksioner është edhe shteti, por pjesën kryesore e ka një biznesmen grek. Kjo kompani ka pasur si objekt grumbullimin, përpunimin dhe eksportin e duhanit. Por në vitet e fundit kanë qenë të shumta ankesat e kultivuesve të duhanit nga zona të ndryshme të vendit se nuk ishin likuiduar për mallin që kishte shitur tek kjo kompani. Tashmë shteti ka caktuar një administrator për të vijuar procedurat e falimentit.
“Sot, më datë 15.6.2023, unë gjyqtarja Eglantina Mikani, gjyqtare pranë Gjykatës të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, pasi mora në rishqyrtim në dhomë këshillimi aktet e çështjes civile regjistruar me nr. 1447, e cila i përket: Kërkues: Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Tiranë, me adresë: bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 3, Tiranë, Person i tretë: Shoqëria “Mika Korçë” sh.a., me NIPT: J64103104K, me adresë: Unaza e Qytetit, Korçë.
Me objekt: Për fillimin e procedurës së falimentimit. Baza ligjore: Nenet 9, 11, 13, 14, 17 të ligjit nr. 1 10/2016, datë 27.10.2016, “Për falimentimin”, si dhe aktin e ekspertimit datë 25.5.2023 të hartuar nga eksperti kontabël z. Luan Muça (i licencuar si auditues ligjor/administrator falimenti), bazuar në nenet 306-310 të K. Pr. Civile, nenin 29 e vijues të ligjit nr. 110/2016, datë 27.10.2016, “Për falimentimin”, ndër të tjera, vendosa pranimin e kërkesës së palës kërkuese, Ministria e Financave dhe Ekonomisë” thuhet në vendim.