Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i kërkoi qeverisë shqiptare, që të mos i fusë shkopinj në rrota Kosovës duke e vendosur në pozicione të vështira. Edhe pse nuk e përmendi konkretisht, referenca ishte e qartë për Edi Ramën dhe draftin që paraqiti për Asociacionin. Meta kishte një mesazh edhe për aleatët.
“Është e qartë botërisht se Asociacioni është një marrëveshje e pranuar nga Kosova dhe ajo garantohet në marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e paktit të Ohrit.
I duhet kërkuar Beogradit të firmosë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit dhe të heqë dorë nga tensionimi artificial në veri. Ky është një konflikt mes dy modeleve në rajonin tonë; të autokracisë dhe demokracisë. Komuniteti ndërkombëtar t’i qëndrojë parimeve.
Ne nuk duhet t’i vendosim shkopinj në rrota shtetit të Kosovës. Kemi raste të përsëritura. Shqipëria po përpiqet ta vendosë Kosovën në një pozicion që nuk e meriton aspak kur dihet kush është orkestruesi i largimit të serbëve nga institucionet në veri” tha ai.
I pyetur nga gazetarët se cfarë po bën opozita dhe nëse do të ketë protesta, Meta nuk e mohoi. “Ky është një proces reflektimi. Opozita ka bërë dhe do të bëjë pa diskutim protesta. Por është shumë e rëndësishme të kuptojmë që edhe vetë shoqëria duhet të reagojë”.