14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Pëllumb Nako: “Ashraf 3” dhe kërthiza e botës

Kryesoret

Ndërhyrja me forcë e organeve policore në kampin e muxhahedinëve iranianë në Manzë të Durrësit, natyrshëm u shoqërua me zhurmë të madhe dhe me komente të larmishme.

Në kuadrin e kësaj larmie nuk mund të mungonin as analizat me natyrë të gjerë gjeo-politike, ku në tavolinat e studiove u ulën të shtjelluara orientimet e fundit të superfuqive botërore të karakterizuara nga ndryshime të kursit politik. Dhe se një lojë e tillë me përmasa kaq globale, rezulton të ketë ndikimin e saj në sjelljen e Shqipërisë ndaj muxhahidinëve të Manzës.

Natyrshëm, Manza dhe Shqipëria janë kthyer në kërthizën e botës. Nëse komente të tilla janë të qëndrueshme, duket qartë që vendi ynë futet në një lojë kaq të madhe globale, rregullat e të cilave nuk i njeh. Ai vihet në dijeni dhe reagon në momentin kur i hyn në punë protagonistëve të saj. Më shumë se strategjitë e të fuqishmëve të globit, publikut shqiptar do t’i duhej të kishte përgjigje për disa pyetje të lidhura me sigurinë e përditshmërisë së tij. I ka kapacitet e duhura Shqipëria që të marrë përsipër detyrime të tilla nga partnerët e saj aleatë aq sa të jetë në gjendje për të menaxhuar pasojat e ndryshimit të kursit të tyre politik në rang global?

Në këtë kontekst, ka marrë përsipër qeveria detyrime, të cilat i ka të vështira ose të pamundura t’i plotësojë? Kjo sepse në realitetin shqiptar është kthyer në thuajse tradicional fakti që në kuadrin e egoizmit të tyre të shfrenuar politik për protagonizëm të dukshëm ndërkombëtar, politikanët shqiptarë marrin përsipër detyrime që nuk janë në përputhje me kapacitetet modeste të vendit që përfaqësojnë. Është kjo mani e tyre që u tundon arsyen dhe nuk u lejon të kuptojnë se madhështia e tyre ndërkombëtare merret në konsideratë vetëm në përputhje me fuqinë e vendit që përfaqësojnë. E kundërta është vetëm sahanlëpirje.

Ndërkohë, më konkretisht, lidhur me kampin Ashraf 3, deklarimet publike të qeverisë sonë, janë jashtë asaj që ndodh rëndom në raste të ngjashme. Në ç’kuptim: Ministri i Brendshëm deklaroi disa herë se banorët e kampit në Manzë ndodhen aty për arsye humanitare dhe ata kanë thyer marrëveshjen me autoritetet tona. Një pohim i tillë duket më shumë se kontradiktor, të paktë në raport me atë që ndodh normalisht në rastet e mbrojtjes së përkohshme së refugjatëve. Nuk ka asnjë rast në botë që të strehosh refugjatë dhe të bësh me ta një marrëveshje, e cila më pas të denoncohet si e shkelur. Vendi ynë priti kohët e fundit edhe shtetas nga Afganistani, por nuk u fol për ndonjë marrëveshje me ta.

Duket qartë që ka ndryshim ndërmjet asaj që thuhet publikisht nga qeveria dhe standardit të njohur për mbrojtjen e përkohshme të refugjatëve. Për më tepër, muxhahedinët jetojnë në një qytetëz, në të cilën ata gëzojnë të drejtën e privatësisë, çka do të thotë që të hysh aty, duhet të negociosh paraprakisht me parin e tyre. Një gjë e tillë do të thotë se për këta 3000 muxhahidinë ka një trajtim më special, ndryshe nga ç’ndodh normalisht. Përse? Sigurisht, këtë qeveria nuk e thotë dhe nuk mund ta thotë. Të gjithë e dinë, por asnjë zyrtarisht.

Në medie është komentuar gjatë. Por kjo pak rëndësia ka. Për publikun e zakonshëm dhe masiv të këtij vendi ka rëndësi të dijë se sa qeveria është e ndërgjegjshme për rreziqet që merr përsipër në kuadrin e nismave të tilla, pasi për avantazhet ajo ka folur pa kursim dhe me zë të lartë. Rikthimi në kohë për të gjykuar marrjen përsipër të strehimit të 3000 muxhahedinëve në vendin tonë bëhet i domosdoshëm në kontekstin e asaj që po ndodh sot. Kur qeveria mori vendimin për të strehuar këta 3000 muxhahidinë, publikisht foli vetëm për detyrimet dhe nderin e madh të vendit tonë për të qenë në krahë të aleatëve të saj të fuqishëm.

Ajo foli, siç vazhdon të flasë edhe sot, për mbrojtje humanitare, ndërkohë që këto ditë shkulet gjysma e policisë shqiptare për të mundësuar realizimin e një kontrolli në këtë kamp për çështje të lidhura me hakerimet, pra për terrorizëm kibernetik. Aty u sekuestruan servera dhe kompjuterë të shumtë dhe përplasja me policinë ishte mjaft e fortë. Ky irritim tregon se ata nuk durojnë dot autoritet tjetër përveç atij të hierarkisë së tyre. Gjithmonë duke u mbështetur të njoftimi zyrtar i Policisë, e cila për hir të së vërtetës nuk kishte asnjë lloj arsyeje për të përdorur forcën pa motiv. Një ndryshim i tillë, kaq radikal në sjelljen e muxhahidinëve ngjall pasiguri të madhe të njerëzit e zakonshëm kur mendojnë se kanë pritur me besim të plotë garancitë e qeverisë se këta 3000 persona do të strehohen në vendin tonë për motive humane.

Ndërkohë sot, është po qeveria ajo që sot thotë se ata kanë shkelur marrëveshjen duke kryer akte subversive dhe garanton përsëri rend dhe qetësi. Në kushtet e një ndryshimi të tillë, pavarësisht deklarimeve zyrtare, edhe njerëzit e kanë të drejtën e tyre e të pyesin e të hamendësojnë. Nëse nga brenda kampit ka individë që kryejnë këto akte nga territori i vendit tonë dhe do të vijë një ditë ky kamp do të mbyllet, ku do të shkojnë këta tre mijë veta? Kush do t’i strehojë? Vendi ynë aktualisht nuk është në gjendje të kthejë në vendin e origjinës asnjë refugjat ekonomik për shkak të mungesës së marrëveshjeve ligjore “për ripranim” dhe jo 3000 luftëtarë.

Ka qenë e parashikuar kjo gjë në marrëveshjen kur ata u strehuan? Apo ndoshta ky version nuk mendohej fare. Ndërkohë as qeveria nuk flet dhe askush nuk di ç’të thotë për këtë problem sepse “loja e madhe” bëhet gjetkë. Ndoshta qeveria e di dhe ndjek rregullin biblik duke i thënë mbarë popullit se ajo e ka një përgjigje, por është populli, i cili nuk është bërë ende gati për të mësuar të vërtetën. Në fakt kjo do të ishte gjëja me e mirë pasi ka të ngjarë që ajo është kapur e papërgatitur. Edhe sikur të mos mbyllet për motivet e mësipërme, kampet e refugjatëve janë të përkohshëm dhe është përkohshmëria që justifikon ndërtimin e tyre.

Zgjatje në kohë përfundon me krijimin e problemeve në raport me sigurinë për vendin që i mirëpret dhe për vetë integrimin e refugjatëve. Raste dhe eksperienca të ngjashme me kampin në Manzë ka edhe në vende të tjera dhe zgjatja e tyre në kohë ka sjellë vetëm probleme. Mjafton këtu të kujtojmë kampet e palestinezë në Jordani ku për disa vite u kthyen në çerdhe terroriste, apo disa kampe në jug të Algjerisë të kthyera në qendra trafikimi ndërkombëtar të mjeteve të vjedhura, pa folur këtu për elementë të tjerë njerëzor të refugjatëve. Në të dy rastet e cituara u përdor forca për çmontimin e tyre. Pra për sa kohë do të jetë i hapur ky kamp në vendin tonë?

Duke jetuar të mbyllur në kampe, jashtë kontaktit me banorët e vendit, banorët e tyre fillojnë e ndërtojnë një shtet paralel, me rregullat e tyre duke krijuar probleme për sigurinë. Ata as nuk integrohen me banorët vendas dhe as nuk ngelen më pjesë e vendit të tyre të origjinës. Një problem i tillë ekziston edhe për këta muxhahidinë, për më tepër që ata janë të organizuar në formë paraushtarake dhe nuk jetojnë në kamp me bërthamat e tyre familjare. Në thelb për Shqipërinë nuk ka rëndësi ndryshimi i orientimeve politike të fuqive të mëdha, por fakti se çfarë do të bëhet me këta muxhahidinë si rezultat i këtij ndryshim.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit