Ushtria e Ukrainës ka thënë se e ka zmbrapsur një tentativë për sulm ajror nga forcat ruse në një aeroport ukrainas më 23 qershor. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ukrainase tha se kjo ishte pjesë e një tjetër vale “masive” të sulmeve ruse në mbarë Ukrainën gjatë natës.
Rusia ka shtuar në mënyrë drastike frekuencën dhe intensitetin e sulmeve ajrore drejt infrastrukturës dhe qyteteve të Ukrainës, veçanërisht drejt Kievit, që nga fillimi i muajit të kaluar. Këto sulme kanë sjellë viktima të shumta civile dhe dëme të mëdha materiale.
Mbrojtja ajrore e Ukrainës tha se ajo rrëzoi 13 raketat lundruese të lëshuara nga Rusia në një sulm gjatë natës në një aeroport ushtarak në rajonin qendror të Khmelnitskiy. Në deklaratën e publikuar më 23 qershor, ushtria shtoi se sulmi u krye rreth mesnatës nga avionë strategjikë që vinin nga drejtimi i Detit Kaspik.
Ndërkohë, një tjetër alarm për sulme ajrore u dëgjua për disa orë gjatë natës në mbarë Ukrainën pasi forcat ruse sulmuan me një numër të madh raketash dhe dronësh, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm, duke shtuar se pasojat e sulmeve “masive” ishin ende të paqarta.
Vala e fundit e sulmeve të Rusisë erdhi një ditë pasi një urë kyçe që lidh Krimenë e aneksuar nga Rusia me pjesën e pushtuar të rajonit jugor të Ukrainës, Herson, u dëmtua pasi u godit nga ato që Moska tha se ishin raketa Storm Shadow të dhuruara nga Britania e Madhe. /REL