Ushtria ruse është raportuar të ketë qëlluar ndaj pjesëtarëve të Wagnerit që po avancojnë drejt Moskës, pasi kanë hyrë në orët e para të së shtunës në qytetin jugperëndimor rus, Rostov-on-Don.
Një korrespodent i agjencisë së lajmeve Reuters, ka raportuar se ka qenë dëshmitar kur helikopterët ushtarakë rusë kanë hapur zjarr në një kolonë të Wagnerit, disa orë pasi shefi i grupit, Yevgeny Prigozhin ka thënë se forcat e tij i kanë pushtuar zonat ushtarake në Rostov-on-Don.
Kolona e Wagnerit besohet se është sulmuar pasi e ka kaluar qytetin Voronezh, që gjendet rreth 600 kilometra në veri të Rostov-on-Donit.
Sipas Reutersit, në kolonë ka pasur transportuese ushtarësh dhe të paktën një tanke.
Mercenarëve të Wagnerit u është premtuar amnistia nëse i dorëzojnë armët, por duhet të veprojnë shpejt, ka thënë agjencia ruse e lajmeve TASS, duke e cituar një ligjvënës rus.
“Luftëtarët e Wagnerit ende mund t’i ulin armët dhe t’i shmangen ndëshkimit, duke marrë parasysh arritjet e tyre përgjatë operacionit special ushtarak në Ukrainë, por ata duhet të veprojnë shpejt”, ka thënë ligjvënësi rus Pavel Krasheninnikov, sipas TASS-it.
“Wagner” sulm Putinit, Zelenski: E keqja po shkatërron vetvete