Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, konfirmoi gatishmërinë e vendeve anëtare të bllokut evropian për të ndërmarrë masa të reja të mëtejshme, nëse nuk ka përparim në drejtim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës, veçanërisht sa i përket organizimit të zgjedhjeve të reja në katër komunat në këtë zonë.
“Vetëm ato [shtete anëtare] mund ta bëjnë këtë gjë. Masat do të godasin aspektet politike dhe ekonomike të marrëdhënieve tona. Dhe si ta bëjmë atë? Ne po punojmë në mënyrë shumë të strukturuar dhe do të fillojmë të shikojmë se çfarë masash mund të merren në rast se përfundimisht nuk arrijmë një marrëveshje për shpalljen e zgjedhjeve”, tha Borrell pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së.
BE tashmë po zbaton një seri masash ndaj Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit të vendit, Albin Kurti. “Dhe që gjithçka të jetë në rregull, duhet të kemi zgjedhje. Jemi dakord që zgjedhjet duhet të bëhen. Ne ramë dakord që nuk mund të kemi përgjithmonë kryetar komunash në zyra që mbrohen nga trupat e NATO-s, që kanë fituar 2 ose 3 për qind të votave [në zgjedhjet lokale të 23 prillit]. Kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme.
Pra, nëse kjo nuk është e qëndrueshme, duhet të zëvendësohet me një zgjidhje tjetër. Dhe zgjidhja tjetër mund të vij vetëm me mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Dhe këtë duhet të bëjnë të dyja palët: zgjedhje me pjesëmarrjen e serbëve, sepse përndryshe do të kemi të njëjtën situatë sikur sot”, tha Borrell.









