Themeluesi i mercenarëve të Wagner, Yevgeny Prigozhin ka reaguar për herë të parë pas rebelimit dhe tensioneve të ngritura me liderin rus, Vladimir Putin. Ai deklaroi se qëllimi i rebelimit ishte shmangia e shkatërrimit të grupit Wagner.
Yevgeny Prigozhin pretendon se grupi mercenar ishte i detyruar të shpërbëhej më 1 korrik. Megjithatë, kreu i Wagner shton më tej se marshimi në drejtim të Moskës nuk ishte për të rrëzuar Putinin nga pushteti.
“Qëllimi i marshimit ishte shmangia e shkatërrimit të Wagner-it dhe vënia para përgjegjësisë së disa zyrtarëve, të cilët me veprimet e tyre joprofesionale kanë bërë shumë gabime”, tha Prigozhin.
Ndërkohë, pas rebelimit 24 orësh të mercenarëve të Wagner, që sfidoi si kurrë më parë pushtetin e Putinit, dhe që kishte si qëllim kryesor largimin e ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ky i fundit shfaqet në një video teksa inspekton trupat e Moskës të përfshira në operacionin ushtarak në Ukrainë.