Është publikuar ekskluzivisht audio-incizi në të cilën ish-presidenti amerikan Donald Trump diskuton mbajtjen e dokumenteve sekrete që nuk janë deklasifikuar në New Jersey.
Incizimi që u transmetua për herë të parë në CNN, përfshin detaje të reja nga biseda, e cila është gjithashtu një pjesë kryesore e provës në aktakuzën e prokurorit special Jack Smith kundër Trump, i cili akuzohet për keqpërdorim të informacionit të klasifikuar.
Sipas raportimeve, incizimi përfshin gjithashtu një moment kur Trump tregon se ai mban një dokument sekret të Pentagonit me plane për të sulmuar Iranin.
“Këto janë letrat”, thotë Trump.
Trump mund të dëgjohet gjithashtu duke bërë shaka me bashkëpunëtorët e tij për emailet e Hillary Clinton.
Deklaratat e Trump në incizim, ku thotë “këto janë letrat” dhe i referoheshin diçkaje që duhet të jetë “shumë konfidenciale”, mund të minojnë pretendimet e tij në një intervistë me Fox News, ku ai tha se nuk kishte asnjë dokument me vete.
“Nuk kishte asnjë dokument. Ishte një sasi e madhe letrash dhe gjithçka tjetër që flitej për Iranin dhe gjëra të tjera. Ato mund të ishin mbajtur, por nuk ishin dokumente. Nuk mund të deklasifikoheshin. Ishte lajme nga gazetat, revistat, artikuj të shumtë”, tha Trump.
Sipas audio-regjistrimit që është publikuar, Trump ka folur edhe për Iranin.
“Unë thjesht po mendoja, sepse ne folëm për këtë. Dhe ju e dini, ata donin të sulmonin Iranin. Këto janë letrat. Kjo u bë nga ushtria dhe më është dhënë mua. Si president, unë mund ta kisha deklasifikuar. Tani mundem, por ju e dini, është ende një sekret”, tha Trump.