Statistikat e shërbimeve shëndetësore në Shqipëri vazhdojnë të mbeten të paqëndrueshme, edhe pas kapërcimit të pandemisë COVID-19. Sipas një raporti të organizatës “Së bashku për jetën”, gjatë vitit të kaluar u shtuan dukshëm vizitat mjekësore, por ra ndjeshëm vaksinimi me dozën e tretë kundër Covid-19, si dhe kontrollet periodike. Po ashtu u rrit me një të tretën edhe numri i pacientëve të trajtuar në spitalet psikiatrike.
Programet e vaksinimeve ishin të qëndrueshme gjatë vitit 2022, ku sipas raportit, u vaksinuan 240 mijë fëmijë nga 203 mijë të parashikuar me të njëjtin buxhet të planifikuar. Por në raport theksohet se gjatë vitit të kaluar u planifikuan 2 milionë vaksinime anti Covid-19, por u kryen vetëm një e katërta, 535 mijë, me të njëjtin fond shpenzimesh, sepse ra ndjeshëm numri i pacientëve që kryenin dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19.
Megjithatë trajtime në shërbimin spitalor kanë përfituar 278 mijë pacientë nga 330 mijë të planifikuar, pra 52 mijë persona më pak. Pacientë të trajtuar në spitalet psikiatrike ishin rreth një mijë e 500 kundrejt 934 të tillë të parashikuar, pra u shënua rritje me një tretën e parashikimit.
Gjatë vitit të kaluar u kontrolluan për kancerin e gjirit një mijë gra më shumë se parashikimi, afro 5 mijë e 500 gra nga 4 mijë e 500 të planifikuara. Ndërsa për kancerin e qafës së mitrës u bënë 10 mijë e 400 kontrolle nga 16 mijë të planifikuara. Nga pagesa sociale përfituan afro 162 mijë persona me aftësi të kufizuara dhe kujdestarë kundrej të 167 mijë të planifikuar./VOA