Një tjetër vendim pro qeverisë. Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e shoqatës “Për kundërshtimin e projektit Skavica” lidhur me projektin e ndërtimit të hidrocentralit. Pas shqyrtimit dhe dëgjesës me palët, dje Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin duke rrëzuar kërkesën e shoqatës.
“Rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës” dhe të vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited” thuhet në vendim.
Shoqata pretendonte se vendimi për projektin e HEC-it ishte në kundërshtim me ligjin dhe “antikushtetues në raport me respektimin e të drejtave mbi jetën dhe pronën e mbi 35.000 banorëve që preken direkt nga projekti dhe mbi 50.000 banorë që preken”.
Gjykata Kushtetuese ka gjykuar muajt e fundit disa çështje me interes të madh publik dhe të gjitha vendimet e marra, janë pro qeverisë shqiptare.