Përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës paraqitën të martën “deklaratën e Vidovdanit”, me të cilën kërkuan siç thanë ndaljen e dhunës ndaj serbëve dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Deklarata u publikua gjatë protestave që u organizuan në Graçanicë afër Prishtinës dhe Mitrovicë të Veriut, në prag të festës së Vidovdanit siç e quajnë serbët ditën e Shën Vitos, që shënohet me 28 qershor në përkujtim të betejës mesjetare të Kosovës.
Kryetari i Komunës së Shtërpcës Dalibor Jevtiç, nga radhët e Listës Serbe duke paraqitur deklaratën tha se muajt e fundit serbët e Kosovës po përballen me dhunë të paparë, të cilën e quajti fashiste.
“Ka ardhur koha që të zbardhet e vërteta dhe të thuhet qartë në këtë Vidovdan, a do të kemi Asociacion të komunave serbe. Përndryshe, ne e dimë se çfarë të bëjmë”, tha ai duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet.
Në deklaratën e përfaqësuesve politik serbë thuhet se do t’i lihet hapësirë e arsyeshme dialogut dhe kompromiseve.
Por “nëse vazhdon mizoria ndaj popullit tonë, do të detyrohemi t’u përgjigjemi të gjithë atyre që na dëshirojnë të keqen, që ëndërrojnë luftën në vend të paqes. Ne do të jemi të bashkuar në luftën tonë të drejtë për të qëndruar e mbijetuar në këto zona dhe për të mbrojtur shtëpitë dhe familjet tona”, thuhet në deklaratë.
Tensionet në Kosovë vazhdojnë të mbetën të larta që nga fundi i muajit të kaluar kur autoritetet nisën të zbatojnë rezultatin e zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe.
Në komunat veriore grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen nëpër zyra komunale të kryetarëve shqiptarë./VOA
Artikulli i plotë këtu.