Kryenegociatori i Serbisë në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviç tha se serbët po presin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Nëse nuk do të formohet, ata e dinë çfarë të bëjnë”, tha ai.
Ai akuzoi kryeministrin Albin Kurti se po persekuton serbët, duke thënë se Perëndimi është i bashkuar kundër tij.
“Vetëm kur të shohim lëvizjet dhe masat konkrete të shpallura nga BE-ja dhe SHBA-ja, do të kuptojmë se është synimi për ta frenuar Kurtin”, tha Petkoviç.
Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, zhvilluan takime të ndara me ndërmjetësuesit evropianë të dialogut. Por, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha se këto takime nuk sollën rezultate. Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.