Paraditen e sotme drejtuesit e disa partive të vogla, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, Endri Shabani dhe Agron Duka njoftuan nismën e fundit që kanë ndërmarrë. Thelbi i aksionit të ri politik jashtë dyerve të parlamentit ka të bëjë me ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Drejtuesit e partive kanë një qëllim; të mbledhin votat për të kërkuar ndryshimin e sistemit proporcional rajonal që është tani. Ky sistem është e keqja e madhe, thanë politikanët, të rinj e të vjetër. Kreu i nismës “Thurje” Endri Shabani u shpreh se fushata do të nisë të shtunën nga Durrësi. Gjithashtu kërkoi uljen e moshës së votimit nga 18 në 16-vjeç.
“Do të marrim formularin për mbledhjen e 50 mijë qytetarëve, dhe deputetët do kërkojnë në parlament referendum për ndryshimin e sistemit. Të minimizohet ndarja rajonale, duhen më pak se 4 rajone. Është pikërisht kjo ndarje që dha 7 mandate plus për PS. Duhet heqja e herësit, me gjykatë kushtetuese herësi është hequr, duam të reflektohet edhe në Kodin Zgjedhor.
Listat të jenë 100% të hapura dhe zgjedhësi të ketë më shumë se 1 alternativë. Kjo do të dobësonte fenomenin e shitblerjes së votës. Duhet të reflektohet në Kod vendimi i gjykatës kushtetuese për të pasur një prag rajonal. Të ulet mosha për qytetarët me të drejtë vote, duke ua dhënë mundësinë edhe 16 vjeçarëve”, tha Shabani.
Kreu i PAA, Agron Duka u shpreh se me këtë sistem zgjedhor vota e qytetarëve nuk shkon aty ku orientohet. Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu theksoi se një pikë e rëndësishme e kësaj nisme është edhe vota e diasporës. Dashamir Shehi nënvizoi nevojën për thyerjen e monopolit nga dy partitë e mëdha në vend të cilat nuk lënë asnjë forcë të re politike që të futet në këtë fushë.