Diplomati i njohur Shaban Murati pak javë më parë botoi librin e ri “Antitabu për filozofinë filotabu shqiptare”. Të interesuarit dhe vlerësimet kanë qenë të shumta. Mes tyre është edhe Helena Kadare. Në një postim në Facebook, Murati shkruan se Helena Kadare e ka cilësuar librin të jashtëzakonshëm.
“Shkrimtarja e shquar Helena Kadare për librin tim të ri. Ndjehem veçanërisht i nderuar nga vlerësimet e shkrimtares së shquar të letërsisë shqipe, Helena Kadare, për librin tim të ri “Antitabu për filozofinë filotabu shqiptare”:
“Një libër i jashtëzakonshëm. Thënë saktë dhe me guximin e një intelektuali të vërtetë. Libri juaj-një hymn drejtësie. Atë duhet ta lexojnë të gjithë shqiptarët kudo që janë, brenda dhe jashtë vendit” shkruan Murati.
Libri, sponsorizuar nga Fondacioni i mirënjohur Çamëria “Hasan Tahsini” përmban sinteza, mikroese, koncentrate analizash, sinopse, fokusime, etj. në të gjithë dinamikën dhe problematikën historike dhe aktuale të shoqërisë shqiptare.