Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paralajmëroi arrestime të tjera. Ai u shpreh sot se institucionet e Kosovës kanë identifikuar 45 persona, që sipas tij, kanë marrë pjesë në sulmet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
“Deri më sot janë identifikuar gjithsej 45 persona – identifikim i saktë – që kanë marrë pjesë në sulme, në dhunë kundër ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Por, njëkohësisht kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm duke përdorur armatim të ndryshëm, prej granatave të dorës te shok bombat, por edhe të plumbave qofshin ata të automatikëve ose revolverëve”, tha Kurti gjatë një prononcimi për gazetarë.
Deri më tani, Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona për sulmet ndaj gazetarëve, por edhe për ngjarjet e dhunshme të 29 majit në Zveçan. Atë ditë, protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke lënë të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.