Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, ka dalë paraditen e kësaj të marte në një konferencë për mediat, ku ka prezantuar disa nga statistikat i Institutit të Statistikave në lidhje me rritjen ekonomike në vend për tremujorin e parë të këtij viti, por edhe të sektorëve përkatës.
“Rritja ekonomike në vend 2.72 për qind për tremujorin e parë të vitit 2023. Rritja ishte në mesataren e vendeve të tjera të rajonit.
Në krahasim me vendet e BE, rritja në vendin tonë ishte shumë herë më e lartë, ku rritja ishte mesatarisht 1 për qind.
Performanca pozitive e eksporteve të produkteve bujqësore ka vijuar. Rritja është ndikuar nga rritja e prodhimeve bujqësore.
Industria u rrit 1.23 për qind, ku kontributori kryesor ishte dega e energjisë elektrike, i ndikuar nga kushtet atmosferike të favorshme.
Industria nxjerrëse ka dhënë një ndikim negativ. Sektori i ndërtimit ka vijuar të japë një kontribut pozitiv, me 4.5 për qind, ndërsa pritet të japë të njëjtin ndikim edhe në muajt e ardhshëm të vitit.
Tregtia me shumicë, transporti dhe shërbimet ushqimore ka rezultuar me rritje 3.52 për qind, ku perfomancën më të lartë e ka pasur sektori i transportit rrugor dhe me tubacione.
PBB ka pasur një ndikim pozitiv në gjithë komponentët e kërkesës. Konsumi i popullatës ka ardhur në rritje.
Kryefjala e këtij vitit do të jetë inflacioni i ekonomisë shqiptare. Në muajin maj rezultoi 4.7 për qind. Komponenti kryesor i rritjes dhe ndikimi të inflacionit ka qenë ai i ushqimeve dhe pijeve, që ka edhe pesën kryesore të shpenzimeve të shportës së qytetarëve shqiptarë.”, u shpreh ministrja Ibrahimaj në deklaratën e saj.