Të martën, më 4 korrik, krerët e institucioneve evropiane kanë ripërsëritur domosdoshmërinë për qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, pas takimit me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç.
Bërnabiç vizitoi Brukselin, ku u takua me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Michel, përmes një postimi në Twitter ka theksuar se i ka përcjellë kryeministres serbe mesazhin nga samiti i javës së kaluar për domosdoshmërinë e shtensionimit urgjent të situatës në veri të Kosovës dhe vazhdimin e dialogut me ndërmjetësimin e BE-së.
Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka theksuar domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut me Kosovën.
Ana Bërnabiç u takua edhe me Komisionerin Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Krahas marrëdhënieve me Kosovën, në të gjitha takimet u theksua mbështetja për rrugën evropiane të Serbisë, por gjithashtu u nënvizua domosdoshmëria e ndërmarrjes së reformave që janë kyçe për procesin e anëtarësimit të Serbisë.
Sa i përket situatës në veri të Kosovës, kryeministrja e Serbisë tha se “topi është në fushën e Prishtinës”.
“Është e nevojshme që, para së gjithash, ngacmimi dhe persekutimi i serbëve në Kosovë dhe arrestimet dhe ndalimet arbitrare pa asnjë provë, ngacmimi dhe torturimi i njerëzve që janë plotësisht të pafajshëm dhe për të cilët të gjithë kanë prova se janë të pafajshëm, nga ne në EULEX dhe në fund të fundit edhe në Prishtinë”, u tha Bërnabiq gazetarëve./REL
Artikulli i plotë këtu.