Një natë më parë Fushë Kruja u trondit nga një ekzekutim mafioz. Killerat gabuan në shënjestër duke vrarë një të pafajshëm dhe plagosur dy fëmijë. Objektivi, që dyshohet se ishte Gentjan Bejtja shpëtoi.
U ekzekutua kunati i tij, Ramazan Sino dhe iu plagosën dy djemtë, 8 dhe 13-vjeç. Për të hedhur dritë mbi këtë vrasje dhe reagimin e policisë zhvilluam një bisedë me ekspertin e policisë, Fatjon Softa.
“Si është e mundur, grup zjarri, tre kallashë, ku i mbajnë këto armë? Si qarkullojnë me makina të vjedhura. Problemi është policia atje, që është e trembur. Policia italiane, karabinierët e jugut shkojnë në veri dhe e kundërta” tha ai për “5Pyetjet.al”.
Por nga erdhi atentati? “Unë e lidh me aktivitetin kriminal të këtij që ishte në shënjestër. Duhen parë tre rastet e atentateve. Në 2013, 2016 dhe rasti i djeshëm.
Bëhet fjalë për diçka që janë konflikte të hershme. Kjo mund të japë ngjarje zinxhir. Tani do u kthehet ky atyre. Ky (Gentjan Bejtja) e di kush e bëri atentatin.
Policia duhet ta shtrëngojë me metoda të ndryshme, që ky të fliste dhe të tregonte kush janë të dyshuarit. Tani presim atentatin e radhës. Nga “Don Bosko”, Fushë Kruja, Nikla kanë ndodhur atentatet më të frikshme. Nikla është bërë “kryeqyteti” i krimit” tha ai.
Zona e Krujës dhe Fushë Krujës sipas tij është bazë për drogën, armët dhe përgatitjen e makinave për atentate. “Kjo është një zonë që edhe kamerat që ishin u hoqën. Kjo është një mundësi e artë për grupet kriminale.
Policia duhet të ishte prezente me pika kontrolli apo stacione, pasi aty nisin, aty janë vatrat e organizimit. Bizneset i kanë në Tiranë, por pjesën e errët të aktivitetit i kanë aty” tha ai për “5Pyetjet.al”.