Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për Klan Kosovën ka folur në lidhje draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Në fjalën e tij Rama tha se nuk është konsultuar me askënd nga qeveria e Kosovës për draftin të cilin ua ka dërguar te tre personave: te kancelari gjerman Scholz, presidenti francez Macron dhe te presidenti i KiE-së, Michel.
“Draft statuti nuk është konsultuar me asnjë sepse nuk ka pse të konsultohet. Unë nuk kam bërë studion ligjore të qeverisë së Kosovës.
Ajo e ka ekspertët e vet, mundësitë e veta, mund ta kishte bërë me kohë dhe duhet ta kishte bërë me kohë, dhe jo vetëm që duhet ta kishte bërë me kohë, por duhet t’i rrinte te dera gjatë gjithë kohës partnerëve dhe aleatëve dhe t’u thoshte, mendojmë kështu, mendojmë ashtu, sepse është në interesin tonë.
Pashë, më treguan që Glauku kishte thënë se ka autonomi… nuk e di për çka e ka fjalën, sepse ne nuk folëm fare për draft të Asociacionit. Në dokumentin që ata se kanë lexuar! Këta s’e kanë lexuar! Ku e dinë këta?
Apo më shohin mua në portret dhe më lexojnë si në filxhan? Drafti që unë kam përgatitur, është përgatitur nga ekspertë të nivelit më të lartë, dhe unë ia kam dërguar tre personave: kancelarit Scholz, presidentit Macron dhe presidentit Michel”, deklaroi Rama.
Ai gjtihashtu tha se me Qeverinë e Kosovës mund të hartojnë një draft për Shqipërinë e Madhe, “por nuk i duhet dreqit”.